Nga: Jennifer Lucy Allan / The Guardian
Përkthimi (i pjesshëm): Telegrafi.com
“Dhe ja! Në vitin e 43-të të jetës sime tokësore, ndërsa po shikoja me frikë të madhe dhe me përqendrim drithërues një vegim hyjnor, pashë një shkëlqim të madh në të cilin jehonte një zë nga Qielli që më tha: ‘O njeri i brishtë, hi prej hirit dhe ndotje prej ndotjes! Thuaj dhe shkruaj atë që sheh dhe dëgjon’.”
Këto janë fjalët e polimates së shekullit të XII, Hildegard von Bingen (ose Hildegarda e Bingenit), duke kujtuar ndërhyrjen hyjnore që e vuri në rrugën për t’u bërë një nga kompozitoret më të hershme dhe më me ndikim në histori.
Hildegard ka frymëzuar një mori studimesh dhe shkrimesh, filma madje edhe parfume, por sot prania e saj ndihet më fort në muzikë, ku vepra e saj ka kapërcyer kufijtë e muzikës së hershme dhe klasike për të ndikuar tek artistë eksperimentalë dhe te feministet. “Ndjeva një lidhje të menjëhershme, si tokësore ashtu edhe jashtëtokësore,” thotë muzikantja radikale neo-mesjetare Laura Cannell, për muzikën e Hildegardit. “Ishte si të bëje një shoqe të ngushtë apo të dashuroheshe. Gjej errësirë dhe dritë në të; duket se është shoqëruesja perfekte për kaq shumë momente të jetës. Citati im i preferuar prej saj është: ‘Edhe në një botë që po mbytet, qëndro e guximshme dhe e fortë.’ Kjo ndjenjë optimizmi është e domosdoshme.”
Gjatë vitit të fundit, Hildegard ka frymëzuar gjithashtu incizimet nga alt-pop artistja Julia Holter, nga eksperimentalistët ambientalë Larum, dyshja katalunase Tarta Relena dhe dyshja e xhazit Noah Preminger dhe Rob Garcia. Duke u kthyer disa vite më pas, lista zgjerohet …
Por, suksesi i madh i Hildegardit nuk erdhi deri gati nëntë shekuj pas lindjes së saj, me incizimin e vitit 1985, A Feather on the Breath of God, dirigjuar nga Christopher Page me sopranon Emma Kirkby dhe grupin Gothic Voices. Nuk pritej diçka nga ky publikim – “Muzikë e mrekullueshme, por për fat të keq askush s’do ta blejë,” thuhet se ka thënë inxhinieri i zërit – por, u shit në sasi të mëdha, fitoi çmime, përfshirë një çmim “Gramophone”, dhe u përdor për samplim … Ai vazhdon të ripublikohet (së fundmi më 2024), dhe pas atij suksesi, publikimet me vepra të Hildegardit nisën të shtoheshin me shpejtësi.
Rizbulimi i saj ndoshta ishte i pashmangshëm. Edhe pse për një kohë të gjatë nuk u përfshi në shumë histori të muzikës dhe u shpall zyrtarisht shenjtore vetëm në vitin 2012, në fakt dimë mjaftueshëm për jetën e Hildegardit. Ajo lindi në vitin 1098 në një familje të pasur dhe u mor nën kujdes nga një murgeshë në manastirin Disibodenberg në Gjermani. Që në moshën trevjeçare kishte filluar të përjetonte vegime – neurologu Oliver Sacks sugjeroi se ato mund të ishin shkaktuar nga migrena – por, i mbajti të fshehta deri kur u emërua në abaci në të dyzetat. Pavarësisht se jetëgjatësia në Mesjetë e bënte të jetë kjo një periudhë e vonë të jetës, me këtë emërim nisi dekada e një krijimtarie të jashtëzakonshme. Vegimet e saj hyjnore u shënuan me kujdes; ajo shkroi vepra mbi një mori temash; papët, mbretërit dhe pendestarët kërkonin udhëzimin e saj.
Biografja e saj, Fiona Maddocks, ka shkruar se për ta kuptuar plotësisht veprën e Hildegardit, do të duhej të ishte specialiste për “Gjermaninë e shekullit XII, për latinishten mesjetare, historinë kishtare, historinë e shkencës dhe mjekësisë, botanikës, mineralogjisë dhe petrologjisë, zoologjisë dhe teologjisë, mistikës, muzikës, pikturës dhe arkitekturës monastike.” Hildegard shpesh përmendet si kompozitorja e parë në historinë e muzikës – edhe pse emra të mëparshëm janë zbuluar më vonë – dhe ajo konsiderohet si një heroinë feministe, polimate radikale, pioniere e ekologjisë …
Krijimtaria e saj përfshin 77 këngë liturgjike, ose këngë të thjeshta kishtare, të njohura si simfonia, si dhe një dramë morale me muzikë që rrëfen tundimet e mishit dhe udhëtimin e shpirtit. Maddocks shkruan se muzika e saj, me melodi të ëmbla që stolisin tekstin, “afrohet me tingullin e improvizimit, duke u zhvilluar më shumë në mënyrë organike sesa sistematike.” Ajo ndihet e lirë në strukturë, ngjitet si një skifter në fluturim duke vizatuar figura elegante në ajër dhe duke u ngjitur drejt qiellit.
Meloditë e Hildegardit tërhoqën Julia Holterin, e cila u frymëzua prej saj për këngën e vitit 2024, Materia. “Kërcimet melodike të saj krijojnë një botë të veçantë harmonike,” thotë Holter. “Gjithmonë përpiqem të shkruaj më shumë në mënyrë melizmatike – duke përdorur më shumë nota për rrokje – dhe shumë nga muzika e saj ndjehet pikërisht kështu.” Edhe Cannell, e cila ka realizuar disa incizime të frymëzuara nga vepra e Hildegardit, përfshirë një album më 2024, bie dakord: “Ka aq shumë lëvizje, edhe pse nuk është domosdo muzikë me ritëm të shpejtë. Meloditë ngrihen që në fillim.”
Një pjesë e arsyes pse Hildegard rezonon me muzikantët bashkëkohorë, është fakti se muzika e saj i paraprin akordeve dhe tonacioneve të standardizuara, ndaj shpesh ka një ndjesi të pazakontë. Gjithashtu, nuk e dimë saktësisht si duhet interpretuar. Aspektet si ritmi, harmonia apo shoqërimi instrumental mbeten të hapura – në dorë të përpunuesve dhe interpretuesve.
Pavarësisht mjeshtërisë së saj, Hildegard nuk do ta kishte konsideruar veten kompozitore – ky është një term i kohëve tona – dhe në disa qarqe debatohet nëse ajo i ka shkruar vërtet vetë ato kompozime. Është e mundur që veprat t’i jenë atribuuar asaj si drejtuese e komunitetit, në një version mesjetar të asaj që ndodh me Damien Hirstin. E pyes Maddocksin për këtë dhe ajo mbetet e hapur: “Si ta gjykojmë, për shembull, një poezi të firmosur ‘Anonim?’ Apo, mendoni për Rekuiemin e Mozartit – një nga veprat e tij më të njohura, por e përfunduar nga dikush tjetër? A ka rëndësi? …”
Një nga pjesët e preferuara të Maddocksit është Columba Aspexit, për shkak të rreshtit hapës që përkthehet afërsisht si: “Pëllumbi fluturoi përmes dritares me grila.” “Titujt janë gjithmonë kaq të gjallë dhe gjuha është kaq e zbukuruar, aq e çmuar dhe e pasur,” thotë ajo. “Edhe pse burimi është biblik, ndjehet një prani e fortë [nga Bibla] e Këngës së Këngëve, dhe një gjuhë shumë poetike.”
Vegimet poetike të Hildegardit kanë frymëzuar operën multisensore të cilën artistja dhe muzikantja Nwando Ebizie e ka zhvilluar që prej vitit 2019, të quajtur Hildegard: Visions. Ajo i lidh halucinacionet e Hildegardit me përvojën e saj personale nga një sindromë neurologjike e quajtur borë vizuale. “Njerëzit me këtë sindromë njihen për kriza shpirtërore apo për ndjenjën se bota nuk është reale,” shpjegon Ebizie, gjë që e bëri të interesohej për kolapsin shpirtëror të Hildegardit. “I gjithë trupi i saj ishte i përfshirë nga dhimbja, nuk ishte në gjendje të bënte asgjë. Pastaj erdhi një mision i qartë nga Zoti dhe në të dyzetat ajo përjetoi këtë lulëzim të madh, sepse ndoqi rrugën e vet …”
Holter mendon se janë pikërisht vegimet ato që na magjepsin sot: “Njerëzit janë të interesuar për perspektiva të pazakonta, me një kuptim më të thelluar dhe interes më të madh për neurodiversitetin … Sa herë që kemi të bëjmë me ‘vizionarë’ që krijojnë diçka jashtë traditës, vepra e tyre mund të ketë një ndjesi të përjetshme.” Edhe për Cannellin, thyerja e konvencioneve nga Hildegardi e bën atë të jetë një heroinë. “Shpeshherë gratë pengohen nga pritshmëritë shoqërore për atë që konsiderohet ‘e tepërt’, apo e pranueshme,” thotë ajo, por me Hildegardin, “mund të shohim përmes shekujve një grua që ishte njëkohësisht produktive dhe frymëzuese. Ajo krijoi, dhe lidhi ura me njerëzit.” /Telegrafi/
The post “Shoqëruesja e përkryer e jetës”: Murgesha e shekullit XII, emri më tërheqës në muzikën eksperimentale appeared first on Telegrafi.