Thu. Dec 12th, 2024

RESHJE DËBORE NË QARKUN E SHKODËRS

Reshjet e shiut dhe të borës kanë vijuar gjatë gjithë natës në territorin e qarkut Shkodër, ndërsa aktualisht vazhdojnë me intensitet të ulët në zonat malore të këtij qarku.

Të dhënat zyrtare janë bërë të ditura nga emergjencat civile të prefekturës së qarkut Shkodër. Reshjet e borës kanë përfshirë zonën e Vermoshit në Malësinë e Madhe, si dhe aksin rrugor Bogë-Theth.

Ndërkohë, mjetet e firmave kontraktore të Autoritetit Rrugor Shqiptar për Rajonin e Veriut kanë nisur prej dy ditësh punën për të mbajtur hapur akset rrugore të Vermoshit dhe Bogë-Theth. Emergjencat civile informojnë se qarkullimi në këto segmente rrugore vijon pa probleme, megjithatë kërkohet që automjetet të jenë të pajisura me goma dimërore.

Një shqetësim i përhershëm për këto zona malore të prekura nga bora mbetet mungesa e energjisë elektrike, si pasojë e motit të përkeqësuar dhe linjave të amortizuara. Mungesë energjie është raportuar edhe në disa fshatra të bashkisë Vau Dejës.

Sipas emergjencave civile, reshje bore janë regjistruar gjithashtu në bashkitë Pukë dhe Fushë Arrëz, por deri më tani nuk janë raportuar probleme në këto zona. Po ashtu, nuk raportohen probleme as në infrastrukturën e kullimit dhe në argjinatura. Institucionet po monitorojnë vazhdimisht situatën për të reaguar ndaj çdo shqetësimi të mundshëm.

Related Post